Me moton “Reka për Republikën”, kandidati për president Blerim Reka i shoqëruar nga kreu i Alenacës për Shqiptarët (ASH), Ziadin Sela dhe i Lëvizjes BESA, Biall Kasami, para qindra qytetarëve të Shkupit, në sheshin “Skendërbeu” ka filluar fushatën elektorale për zgjedhjet e 21 prillit, raporton gazeta KOHA.

“Shprehi admirimin tim për mbështetjen e dy subjekteve opozitare shqiptare në një garë që në fillim duket se është jo e barabartë. Shqiptarët e përçarë paraprakisht duhet të gjejnë konsensusin me vëllaun, para konsensusit me fqiun. Mos lejoni që tu bindine dhe pas 30 vitesh se ju nuk duheshka të votoni vetveten. Me 21 prill, bëhuni vetvetja. Bashkë me ju qytetarë sot po nisim rrugëtimin e fitores, me ju sot po lidhim BESËN dhe po krijojm aleancë shqiptare. Kjo është beslidhja aq e munguar nga Shkupi i Hasan Prishtinës dhe Nënë Terezës, sot po shkruhet një histori e re”, kështu filloi fjalimin e tij, Blerim Reka, kandidat për president, përcjell gazeta KOHA.

Po e lidhim besën, shtoi mëtej Reka në fjalimin e tij, për një republikë të të gjithëve.

“Republikën e sundimit të ligjit, e jo të individit, aq më pak të liderit. Kundër shtetit privat dhe shtetit të zbrazur. Kundër shtetit të zbrazur që zbrazi çerekun e popullësisë së këtij vendi. Mos lejoni që me votën e juaj të largoni edhe të rinjtë e fundit idealist që ende besojnë në iden shqiptare. Votoni kundër korrupsionit, nepotizmit dhe drejtësisë selektive, por sidomos votoni kundër ‘aksham’ pazareve me votën tuaj, nga patriotët tenderistë”, potencoi Reka. (koha.mk)