Komisari evropian për zgjerim, Johanes Han, në intervistë për “Agjencinë Evropa” vëren se parlamentet në shumë vende të Ballkanit Perëndimor ende nuk funksionojnë sipas standardeve evropiane.

“Në Ballkan ekziston ai mentalitet bardhë apo zi. Ose jeni fitues, ose jeni humbës. Por, në demokraci, element kyç është kompromisi, ndërsa kompromisi shpesh ka konotacion negativ në Ballkanin Perëndimor, por në të vërtetë kjo do të thotë se secili duhet t’i japë diçka tjetrit për të marrë diçka plus”, thotë Han në intervistë.

Ai konsideron se ky problem nuk u përket vetëm politikanëve, dhe se ata politikanë të cilët tregojnë aftësi për kompromis janë “në njëfarë mënyre shembull i keq për njerëzit”.

“Prandaj investuam aq në përforcimin e parlamentit, ajo është sferë kyçe, siç mund të konstatoni në shumicën e vendeve, parlamenti nuk funksionon siç dëshirojmë”, thotë komisari.

Ai distancohet nga kualifikimet se bëhet fjalë për “stil ballkanik” dhe thekson se probleme të ngjashme paraqiten në fqinjësinë lindore të BE-së, por edhe në atë jugore, si për shembull në Tunizi.

Komisari për zgjerim ende nuk mund të garantojë se do të hapen negociatat në qershor, por insiston se vendet të cilat kanë më së shumti rezerva ndaj procesit duhet të jenë të vetëdijshme se bëhet fjalë për kredibilitetin e Bashkimit Evropian. Ai e potencoi edhe raportin paradoskal të atyre vendeve të cilat janë më kritike ndaj ndikimeve të huaja në rajon, ndërkaq njëkohësisht janë edhe më rezistente ndaj zgjerimit.

“Nëse ka vakuum, një vend tjetër do ta plotësojë. Çdoherë ekziston rreziku, posaçërisht në Bosnjë e Hercegovinë, për paraqitje tl forcave radikale, fundamentalistëve fetarë dhe të tjerëve të cilët i shënjestrojnë të rinjtë, dhe kjo krijon rrezik për ne”, paralajmëroi Han.

Kredibiliteti i BE-së, thotë ai, është element kyç. Nuk mund të kërkohen reforma dhe përpjekje nga vendet në rajon, ndërsa nga ana evropiane të mos përmbushen premtimet.

“Jo vetëm që do ta humbim kredibilitetin tonë, por edhe ndikimin tonë politik, dhe më shpesh ata të cilët e kritikojnë ndikimin e Rusisë, Kinës, Turqisë në Ballkan kanë rezerva për ta njohur përparimin e vendeve nga Ballkani Perëndimor drejt BE-së”, theksoi Han.

Ai përkujton edhe se rajoni paraqet treg të rëndësishëm ekonomik për BE-në.