Sa më shumë që hyj/më në ujërat e ‘fëlliqura’ të politikës, fillimisht me qëllimin fisnik të dhënies së kontributit në kanalizimin e vullnetit politik të popullit që i takoj/më, aq më shumë bindem/i në vërtetësinë e kësaj thënie, të cilën e kanë thënë të tjerë përpara nesh, të ballafaquar me sfida të njëjta dhe të zhgënjyer me epilogun e këtyre sfidave. Kush nuk e provon vetë, nuk do ta besonte dot një konstatim të tillë, por realiteti t’i jep për ditë, te gjitha dëshmitë e këtij përfundimi.

Shikuar gjuhësisht, është për ta vajtuar vatanin gjegjësisht atdheun dhe për të ardhur keq për miletin apo popullin e këtij atdheu.

Në shikim të parë, duket si çdo thënie tjetër popullore, që dëshmon historinë e një populli të mjerë dhe të përvuajtur, që gjithë kohën ka luftuar për vatan, dhe më në fund, pas të gjitha viktimave dhe sakrificave, lindi edhe ajo ditë një shekull më parë, të shijojë edhe ai një vatan, për të strehuar dhe mbrojtur miletin e përvuajtur nga sulmet dashakeqëse të popujve fqinj, të cilët s’kanë lënë rast pa i gllabëruar për ditë, nga një pëllëmbë të tokës, me dekada dhe qindra vite, qëkur jetojmë në trojet e këtij gadishulli.

Deri në krijimin e vatanit, edhe mund të arsyetohemi se s’kemi pasur shumë faj, sepse kemi luftuar të vetëm kundër të gjithë të tjerëve, të shumëfishtë me numër, dhe shyqyr që kemi mbijetuar dhe nuk u zhdukëm si komb nga faqja e dheut, si shumë të tjerë para nesh.

Sidoqoftë, shikuar një shekull prapa dhe nga këndvështrimi subjektiv dhe optimist, mund të gjejmë plot fakte se kemi bërë hapa të mirë drejt mbërritjes së popujve të tjerë, që ishin me qindra vite para nesh, dhe na duhet të bëjmë hapa gjigante për ta shkurtuar distancën reciproke. Tash madje kemi jo një por dy vatane, dhe disa pjesë të vogla përreth, dhe kemi edhe arsye të ngushëllohemi së punët na shkojnë mirë.

Por, shikuar nga këndvështrimi objektiv dhe realist, edhe sot mund të gjejmë fakte të bollshme për ta vërtetuar thënien e mësipërme, kur shohim se si dhe kush udhëheq më vatanin/et tonë/a, se për një copë pushteti, jemi të gatshëm ta kallim gjithë shtetin, se për të kënaqur miqtë tanë, jemi të gatshëm të dhurojmë pëllëmbë të tjera toke, të cilat duket sikur na teprojnë, dhe në copëzat e vogla të vataneve tjera, jemi të gatshëm që, për të ndejtur sa më gjatë në pushtet, t’i harrojmë vëllezërit e gjakut dhe t’i duam dhe vlerësojmë më shumë vëllezërit e interesit dhe biznesit, duke e mohur kësisoj edhe historikun tonë familjar dhe kombëtar, që e kishim ndërtuar me xhelozi, vite dhe dekada të tëra.

Edhe në Maqedoninë tonë tash të Veriut, që tashmë e konsiderojmë edhe vatan tonin, gjërat kanë ndryshuar kaq shumë. Mjafton vetëm ta kthejmë kokën së paku tre dekada prapa, në fillimet e organizimit politik demokratik, kur kishte një entuziazëm të paparë në përkrahjen e partive politike këndej dhe andej kufijve, si rezultat i lirisë së shprehjes së mendimit dhe të organizimit politik të kësaj pjese të miletit ‘të mjerë’ dhe, dhe ta krahasojmë atë kohë me kohën e sotme, kur ky entuziazëm veç që nuk është shuar tërësisht.

Mjafton të krahasojmë vetëm një fakt që e bën diferencën ndërmjet këtyre dy kohërave. Nëse në atë kohë, dikush votonte qoftë edhe fshehtas, për një kandidat të miletit tjetër, ai etiketohej si spiun dhe tradhtar. Asnjë lider partiak shqiptar nuk guxonte ta mendonte dhe jo ta bënte një gjest të tillë. Sot, gati 30 vite më vonë, liderët e partive tona, të dalë edhe nga gryka e pushkës siç e thonë vetë, të lodhur dhe rraskapitur nga pjesëmarrja në pushtet, kanë arritur në atë përfundim apo derexhe, të na thonë se Ne shqiptarët kot mundohemi se nuk mund të fitojmë, por ne duhet të përshtatemi me ambientin dhe ta zgjedhim një njeri me shpirt pak më të mirë nga rrethi i miletit tjetër, dhe të mos humbim kohë dhe mos ua provokojmë atyre durimin, të presin edhe dy javë, por t’ua japim atyre direkt atë që u takon, sepse ata, edhe pa ne, këtë do ta kenë…

Nuk ia vlen barra qiranë të bëhemi të këqij me bashkëqytetaret tanë, por t’ua shtrijmë dorën e bashkëpunimit, mjafton që ata të na mbajnë sa më gjatë në pushtet. Të tjerat do të vijnë vetvetiu, dhe do të na i dhurojnë ata vetë nga keqardhja, dhe nga mirënjohja për sjelljen tonë të mirë, sepse pa ata, edhe ne vetë s’mundemi të bëjmë kurrgjë….!

Çfarë mesazhi është ky për gjeneratat që vijnë: “edhe ne dikur kemi qenë atdhetarë dhe idealista, por sot jemi bërë pashallarë dhe materialista. Sot mjafton që të kemi për vete për të ngrënë dhe pirë, dhe të tjerat do të vijnë vetë. Ndoshta më ngadalë, por një ditë do të vijnë edhe nëse nuk duam ne, se këto janë rrjedha normale të qytetërimit globalist, pasi tani më nuk ka rëndësi se kush je dhe prej nga vjen, por a ke një jetë të mirë dhe të begatshme, pa marrë parasysh se ku dhe si e fiton atë….

A do të punojmë në vendlindjen dhe atdheun tonë ku fëmijët tanë do të flasin në gjuhën e prindërve të tyre, apo do të punojnë në një vatan të huaj, ku fëmijët do të flasin gjuhën e kojshive/mikpritësve, dhe a do të mbeten shqiptarë dhe muslimanë pak ka rëndësi. Me rëndësi është të jetojnë mirë, të kenë një shtëpi/banesë të bukur me veturë të bukur në oborr. Në cilën gjuhë do të mësojnë ata në shkollë dhe në cilën gjuhë flasim me ta në shtëpi nuk ka rëndësi, sepse fundja e gjithë bota funksionon kështu. Ky është trendi i pashmangshëm i globalizimit. Kur munden të tjerët mundemi edhe ne, sepse një ditë, pas disa qindra vitesh, e gjithë bota do të jetë një vatan i madh dhe do të flasë vetëm me një gjuhë, herët ose vonë….!

Pastaj habitemi dhe hidhërohemi të gjithë, pse na ikin nxënësit dhe fëmijët, dhe pyesim kush na e ka fajin për këtë?! E ka fajin vatani, por është i mjerë edhe mileti, kujt ia ka dhënë pushtetin të udhëheq me vatanin… dhe askush tjetër!

Pra, le të vajtojë vatani sa të dojë, se mileti i mjerë nuk diti t’i del zot, dhe në fund e braktisi, që të strehohet në vatanin e dikujt tjetri, që ka ditur të bëjë vatan, jo vetëm për vete, por edhe për të tjerët…! Lumë kush iku, dhe mjerë ai që mbeti…?!