Gjimnazi “Sami Frashëri” në Kumanovë do të vazhdojë të jetë në shkoll, në të cilën po zhvillohet procesi arsimor tani më 13 vite.

Nga komuna e Kumanovës bëjnë të ditur për Portalb.mk se janë në bisedime me Ministrinë e Arsimit dhe Shkencës (MASH), për ndërtimin e një objekti adekuat shkollor, por nuk dhanë ndonjë informatë konkrete se a është siguruar ndonjë parcelë, apo mjete për ndërtimin.

“Nuk ka ende asgjë konkrete, jemi në bisedime me MASH që ky problem të zgjidhet sa më shpejtë”, thanë nga kjo komunë për Portalb.mk.

Në buxhetin e investimeve të MASH-it për vitin 2019 nuk figuron ndërtimi i objektit shkollor për këtë gjimnaz, ndërsa ministri i arsimit, Arbër Ademi tha për Portalb.mk se janë duke u kryer procedurat administrative të projektit, duke mos cekur ndonjë datë se kur mund të fillojnë apo përfundojnë punimet.

“Jemi duke menaxhuar procesin e sigurimit të dokumentacionit të nevojshëm që të formohet parcela dhe në përputhje me gjetjen e parcelës, të fillojmë me përgatitje për dokumentacionin teknik . janë procedura administrative të cilat me detyrojnë mua si ministër t’i përmbahem”, tha për Portalb, Ademi.

Jozyrtarisht mësohet se sërish nuk do të ndërtohet objekt për këtë gjimnaz, por që ish kazerma e këtij qyteti do të adaptohet në hapësirë shkollore.

Nga ana tjetër drejtori i gjimnazit, Hisen Rahmani thotë për Portalb.mk se kushtet në të cilat ndodhet ky objekt ku realizohet mësimi, janë të mjerueshme.

“Ky objekt nuk ka izolim dhe gjatë dimrit bëhet shumë ftohtë kurse kur rriten temperatura bëhet tepër nxehtë për të ndjekur mësimin. Gjithashtu kemi mungesë të klasave dhe oborrit si dhe nuk kemi sallë sporti për aktivitetet e edukatës fizike. Shkurt mund të themi që ky objekt nuk i ngjan një shkolle”, tha Rahmani.

Ai shtoi se deri më tani është takuar edhe me ministrin Ademi si dhe me përfaqësues të komunës së Kumanovës të cilët kanë premtuar zgjidhje të këtij problemi i cili daton që 13 vite.

Kohë më parë edhe prindërit e gjimnazistëve u ankuan në redaksinë e Portalb.mk, duke shprehur pakënaqësinë dhe revoltën e tyre që fëmijët e tyre mësojnë në këto kushte momentale./Portalb.mk/