Kreu i Lëvizjes BESA, Bilall Kasami nga tubimi i mbajtur sonte në Saraj bashkë me kryetarin e ASH-së, Ziadin Sela dhe kandidatin për president, Blerim Reka ka atakuar ish-kandidatin për president, Imer Selmanin, i cili një natë më parë ishte prezent në konventën e Pendarovskit, ku bëri thirrje për votimin e tij.

“Mirëmbrëma Saraji shqiptar! Falemnderit për prezencën tuaj kaq masovike. Për dallim nga bashkëqytetari juaj, po tregoni se Saraji përkrah fuqishëm kandidaturën e Prof Blerim Rekës..” është shprehur Kasami në fillim të fjalimit.

Ai shtoi se me profesor Blerim Rekën duhet të krenohen gjithë shqiptarët.

“Profesor Blerim Reka është i vetmi kandidat serioz për kryetar të shtetit dhe se është kandidati më i mirë për një Maqedoni Europiane. Ne nuk kemi ofruar kandidat vetem pse është shqiptar, por kemi ofruar një intelektual, akademik, diplomat dhe njeri që mund të kryejë funksionin e Presidentit më mirë se kandidatët e tjerë”, theksoi Kasami.