“Greqia nuk është më armik i jashtëm, sepse tashmë ndërroi emri i shtetit. Tash ka mbetur që të ndërrohet emri i presidentit, nga Gjorge Ivanov në Blerim Reka”, kështu ka bërë thirrje, lideri i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti sot në Kumanovë, që shqiptarët e Maqedonisë së Veriut, në zgjedhjet presidenciale të 21 prillit ta rrethojnë numrin 1 dhe të votojnë për kandidatin e pavarur, Blerim Reka, transmeton Portalb.mk.

Sipas Kurtit, vota më 21 prill është një vendim i rëndësishëm, por i lehtë, sepse sipas tij, Reka nuk duhet votuar vetëm për atë çfarë ai nuk është, por edhe për atë çfarë është.

“Unë kam nderin dhe kënaqësinë që ndodhem këtu në mesin tuaj, para një zgjedhje të rëndësishme, por besoj të lehtë. Blerimi nuk është i korruptuar, por ju nuk duhet ta votoni atë vetëm për atë që nuk është, por për atë që është. Ju e njihni Blerimin shkupjan, intelektual e publicist. Edhe unë e njoh shumë mirë, por unë e njoh edhe më mirë edhe si këshilltar i Adem Demaçit. Të gjithë e dimë, që sipas regjistrimit të popullsisë, shqiptarët janë mbi çerekun e popullsisë, por numri i punësimeve shqiptare në ndërmarrje publike dhe administratën shtetërore është 90 për qind, kurse për pozita udhëheqëse ai bëhet i papërfillshëm. Nëse shqiptarët nuk do të kishin një kandidat shqiptar, kjo do të ishte mungesë vetërespekti. Mirëpo shyqyr e kemi profesorin Blerimin, kësmet president. E dimë se shifra 20 për qind në Marrëveshjen e Ohrit, është teksti më i shpeshtë, por nga pushtetet e mëhershme dhe nga pushteti i Gruevskit kjo bëhej si pretekst për të ulur shqiptarët kudo nën 20 për qind, e jo për t’ua rritur të drejtat e tyre edhe pse janë mbi 20 për qind”, tha Kurti.

Në tubimin që u mbajt sot në Kumanovë, Kurti ka folur për Marrëveshjen e Ohrit, të cilin e ka parë si një “ndryshim të vogël të Maqedonisë së Veriut nga brenda”, dhe në Marrëveshjen e Prespës të cilën e vlerësoi “si një ndryshim të madh nga jashtë”.

“Asnjëri kandidat tjetër për president nuk mund garantojë mbrojtje të Maqedonisë së Veriut nga veriu dhe verilindja, nga Vuçiqi e Putini, sikur këtë mund ta bëjë Reka”, tha Kurti.

Fjalim pas Kurtit kanë mbajtur edhe liderët e partive mbështetëse të Rekës, Lëvizja Besa – Bilall Kasami dhe Aleanca për Shqiptarët – Ziadin Sela.

Drejtpërdrejt nga Kumanova

Posted by Blerim Reka on Sunday, 7 April 2019