Nuk kanë fund polemikat në lidhje me arbitrimin e Mikel Fabri në ndeshjen Juventus-Milan, me drejtuesit e Milanit që janë ende të nervozuar për dy penallti të padhëna në atë takim. Këtë sezon Milani , ka marrë vetëm 2 penallti në favor dhe ka pasur edhe raste të tjera, ku ka protestuar ashpër, si në rastin e një penalltie të mohuar ndaj Piatek ndaj Xhenovas, apo Suso-s në “Olimpico” ndaj Romës. Te Milani ndihen të nënvlerësuar dhe të trajtuar si një klub i parëndësishëm i fundrenditjes, por edhe kreu i shoqatës së arbitrave, Nikola Rizoli, ka mbetur shumë i zhgënjyer nga ajo që ndodhi në Torino, duke e konsideruar një gafë vendimin e Fabri-t për të mos akorduar 11-metërsh për prekjen me dorë të Alex Sandros, edhe pas konsultimit me VAR. Pas gabimeve në Torino, Fabri do të pezullohet për disa ndeshje dhe nuk do ta gjykojë më Milanin këtë sezon. Paraditen e së hënës në Milano do të zhvillohet një takim mes arbitrave dhe klubeve dhe kuqezinjtë do të përfaqësohen nga Gatuso e Romanjoli. Natyrisht, do të ketë edhe një ballafaqim mes palëve, me përzgjedhësin Rizoli që do të pranojë gabimin dhe do të mundohet të shpjegohet me dy “kuqezinjtë”.