Nuk ka më asnjë frikë. Ronaldo e kishte “shënjestruar” çerekfinalen e parë të Ligës së Kampioneve mes Ajax dhe Juventusit dhe qëllimi është arritur.

Ai nuk do ta humbasë ndeshjen e së mërkurës. Përkundrazi, do të jetë një nga protagonistët në fushë, që nga minuta e parë e lojës.

Sipas “Tuttosport”, portugezi jo vetëm që do të jetë në mesin e të grumbulluarve të Allegrit për transfertën në Amsterdam, por do të japë kontributin e tij të çmuar me kapacitet të plotë, 15 ditë pas dëmtimit që pësoi gjatë miqësores Portugali-Serbi. Që nga fillimi, Ronaldo e kishte siguruar mjedisin bardhezi për gjendjen e tij, duke besuar se do të ishte gati për të luajtur brenda shtatë deri në dhjetë ditëve.

Ai mori pak më shumë kohë për riaftësim, por kjo ndodhi vetëm për shkak të maturisë së Allegrit, që preferoi të mos rrezikonte, duke e angazhuar që ndaj Milanit. Ky është lajmi i madh për Juventusin, por një tjetër element i rëndësishëm e ka zënë vendin e portugezit në “infermieri”. Siç raportohet nga “La Gazzetta dello Sport”, do të jetë e vështirë të shihet në mesin e të grumbulluarve Emre Can, i cili duhet të rikuperohet nga një problem i kyçit të këmbës, pas përplasjes së ashpër me Kessié, shkruan telesport.

Vendi i gjermanit pritet të merret nga bashkëkombasi i tij, Khedira, i kthyer në veprim të shtunën e kaluar, pas operacionit të zemrës. Edhe kapiteni Chiellini shqetëson. Mbrojtësi ka lënë në mes seancën e djeshme për një dhimbje në ijë. Nëse nuk ia del, do të jetë gati Rugani, së bashku me Bonucci, në qendër të mbrojtjes.

Përveç Cuadrado-s, i cili është ende jashtë skuadrës, Allegri do të jetë në gjendje të llogarisë të gjithë potencialin sulmues: duke përfshirë Douglas Costa, i destinuar për ta filluar nga stoli, dhe Moise Kean, që ka shpërthyer me gola rregullisht në ndeshjet e fundit.

Ky pritet të jetë formacioni i mundshëm i Juventusit kundër Ajax-it:

(4-3-3): Szczesny; Cancelo, Bonucci, Rugani, Spinazzola; Khedira, Pjanic, Matuidi; Bernardeski, Mandzukic, Ronaldo.