Nëse partitë nuk janë marrë vesh për Ligjin për Prokurori Publike, ose sjellim vendim që të mos miratohet ligji ose e ndërpremë seancën se nuk është arritur numri i mjaftueshëm i votave prej 2/3-ve, kështu deklaroi kryetari i Kuvendit të Maqedonisë së Veriut, Talat Xhaferi në takimin joformal me gazetarët, transmeton Portalb.mk.

“Nëse nuk janë marrë vesh, ose sjellim vendim që të mos miratohet ligji ose e ndërpremë seancën se nuk është arritur 2/3 e votave. Mua nuk më duhet garancë. Nëse më vjen propozimi në parlament, unë nuk do të udhëhiqem nga garancat, por nga procedurat”, tha Xhaferi.

Ligji për Prokurori Publike me të cilin Prokuroria Speciale Publike (PSP) integrohet në Prokurorinë Themelore Publike (PTHP) për ndjekjen e krimit të organizuar dhe korrupsionit, parasheh që hyrja në fuqi e ndryshimeve ligjore të ndodhin më së voni deri më 15 shtator 2019, pasi 7 ditë para të jetë shpallur në Gazetën Zyrtare. Në lidhje me këtë, Xhaferi ka deklaruar se nëse dorëzohet sot propozimi, Ligji mund të miratohet edhe deri në fund të gushtit.

“Jo deri më 15 shtator, edhe në fund të gushtit mund të miratohet nëse sot e marr propozim ligjin. Nëse sot e marr propozim ligjin, më 29-30 korrik thirret seancë në të cilën do të kalojë leximi i parë. Nga ajo, brenda 7 ditësh Ligji duhet të kalojë në lexim të dytë në Komision. Pas kësaj, gjatë periudhës prej 26-30 gusht do të thirr seancë për miratim”, tha Xhaferi derisa tregoi se si është përgjigjur ndaj pyetjes: “A është e mundur që deri më 15 shtator të miratohet Ligji për Prokurori Publike?”, të cilën ia kishte parashtruar ambasadorja e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Kejt Meri Birns në takimin e parë që u realizua sot në Kuvend.

Megjithatë, Xhaferi deklaroi se nëse nuk është arritur konsensus politik për sigurimin e 80 vota “për”, procedura mund të zgjat edhe me muaj. Ai hodhi poshtë mundësinë se nëse nuk ka konsensus paraprak për 2/3, seancë për Ligjin për Prokurori Publike nuk do të thirret.

Pasiqë jozyrtarisht thuhet se lënda e PTHP-së për ndjekjen e krimit të organizuar dhe korrupsionit – “Reketi” mund të zgjerohet edhe me dy deputetë, e ndërkaq Kuvendi në pushim vjetor është zyrtarisht prej 1 deri më 31 gusht 2019, Xhaferi tha se, nëse kërkohet marrje e imunitetit të të njëjtëve, deputetët do të jenë të obliguar të vinë edhe pse janë në pushim.

“E para dhe bazike, Kuvendi është në konvokim të vazhdueshëm. Kudo që të jenë deputetë, dihet se duhet të jenë të përgatitur se në kohë të përshtatshme duhet të paraqiten. Unë nuk mund të parashikoj se cili deputet, kur dhe ku do të jetë në kohën e pushimeve sepse ajo është punë e tyre personale. Nëse kërkohet një gjë e tillë, unë do të komunikoj me grupet parlamentare, që të marrë informacione se cili deputet ku do të jetë, që në rast nevoje, do të dimë se në çfarë afati mund të kthehen deputetët”, tha Xhaferi.

I pyetur se pse deri më tash nuk janë miratuar ndryshimet e Rregullores së Kuvendit, pasi që gjysma e mandatit ka kaluar, Xhaferi përsëriti se tri çështjet e fundit për të cilat është dashur të konsultohet me deputetët e shumicës dhe opozitës kanë mbetur pezull, për siç tha ai, angazhimeve tjera dhe miratimin e ligjeve prioritare.

Përndryshe, propozim-ligji për Prokurori Publike do të kalojë sot në seancë qeveritare, dhe e njëjta më pas do të dërgohet në Kuvend për miratim. Përpilimi i tekstit të këtij ligji pasoi me negociata 4-mujore opozitë – pushtet.

Deklaratë e kryeparlamentarit të Maqedonisë së Verit, Talat Xhaferi

Posted by Portalb on Tuesday, 23 July 2019