Ndihmës-sekretari shtetëror i Shteteve të Bashkuara të Amerikës (SHBA) për Evropë dhe Euro-Azi, Filip Riker sot do të realizojë vizitë zyrtare në Republikën e Maqedonisë së Veriut (RMV), transmeton Portalb.mk.

Gjatë kësaj, ai do të takohet me ministrin e Punëve të Jashtme, Nikolla Dimitrov në Ministrinë e Punëve të Jashtme në ora 08:25 dhe me kryeministrin Zoran Zaev, ku në fillim prej ora 10:20 do të mbajnë konferencë të përbashkët për shtyp në qendrën mediale të Qeverisë.

Rikeri, me fillim prej ora 11:00 do të takohet edhe me liderin e Bashkimit Demokratik për Integrim, Ali Ahmeti në selinë e BDI-së në Tetovë, e ndërkaq gjatë pasdites takime pritet të realizojë edhe në Kuvend.

Me kryetarin e Kuvendit, Talat Xhaferi do të takohet në ora 15:40 dhe me deputetët e Grupit të pavarur parlamentar të VMRO-DPMNE-së dhe Koalicionit “Për Maqedoni më të mirë” në ora 16:20.

Temë e diskutimit të takimeve do të jenë çështjet bilaterale, rruga e Maqedonisë së Veriut drejt NATO-s dhe BE-së dhe Ligji për Prokurori Publike.

Rikeri në Shkup vjen pas vizitës që ai e realizoi në Greqi, ku u takua me shefin e diplomacisë, Nikos Dendias, ish kryeministrin Aleksis Cipras dhe me përfaqësues të tjerë të qeverisë.

Përndryshe, dje në RMV ka qëndruar për vizitë edhe eurokomesari për fqinjësi dhe zgjerim në Bashkimin Evropian (BE), Johanes Han. Ai porositi se shteti do të marrë datë për nisjen e negociatave me BE-në në tetor, por duhet të miratohet Ligji për Prokurori Publike me të cilin definohet fati i Prokurorisë Speciale Publike dhe materialeve të përgjuara – “bombat” si dëshmi gjyqësore.