Propozim-ligji qeveritar për Prokurorinë Publike me të cilin do të zgjidhet fati i Prokurorisë Speciale do të jetë në rend dite në Kuvend në fund të gushtit, pas pushimeve vjetore të deputetëve. Kryeparlamentari Talat Xhaferi seancën e caktoi për në 27 gusht. Ligji është me flamur evropian dhe do të miratohet me procedurë të shkurtuar. Nëse arrihet marrëveshje politike ai mund të votohet deri më 15 shtator, kur edhe skadon mandati i Katica Janevës e cila dha dorëheqje nga posti. Ligji i ri parashikon që PSP-ja të bashkohet me Prokurorinë Themelore Publike për krim të organizuar dhe të marrë titull të ri – Prokurori Publike për ndjekjen e krimit të organizuar dhe korrupsionit të lartë. Propozimi ka 11 anëtar. Me të, të gjithë prokurorët nga PSP-ja dhe nga Prokuroria aktuale për krim të organizuar kalojnë në Prokurorinë e re, deri në skadimin e mandateve të tyre. Prokurorët e PSP-së kanë mandat deri në vitin 2020, ndërsa përveç tyre në Prokurorinë e re kalojnë edhe arkiva e përgjithshme, fondet dhe pajisja të cilën e përdorë PSP-ja. Prokuroria e bashkuar duhet të vazhdojë ndjekjen e veprave penale që kanë të bëjnë ose rezultojnë nga “bombat” për periudhën e viteve 2008-2015. Përveç vazhdimit të jetës së “bombave”, Prokuroria e integruar do të ketë edhe dhjetëra detyra të tjera – por në kompetencë të saj janë edhe veprat penale të kryera nga policë, doganierë, kundër-zbulues. Prokuroria e re do të përndjekë bashkim kriminel, mashtrime zgjedhore, ndërsa mbeten edhe kompetencat për përndjekjen e cenimit terrorist të rendit kushtetues, pjesëmarrje në ushtri, financim të terrorizmit, etj. Në krye të Prokurorisë së re, sipas propozimit, nuk do të ketë ndryshime dhe do të mbetet shefja aktuale e Prokurorisë për krim të organizuar, Villma Ruskoska, të cilën Këshilli i Prokurorëve e zgjodhi në këtë post në vitin 2018. Pas përfundimit të mandatit të prokurores publike speciale Katica Janeva, parashikohet që ajo të mbetet prokurore në Prokurorinë republikane. Kjo është njëra prej vërejtjeve kryesore të VMRO-DPMNE-së, e cila reagon duke theksuar se Janeva në mënyrë të pamerituar avancohet për dy shkallë. Opozita është duke përpiluar propozim-ligj të vetin, por nuk tregon nëse do ta dorëzojë në Kuvend, e as nëse do të intervenojë në propozimin qeveritar me amendamente. Takimi i liderëve për ta është i pranueshëm vetëm me kusht të caktimit të datës së zgjedhjeve të parakohshme. Kryetari i Shoqatës së Gjykatësve, Xhemail Saiti në intervistën për Radio Evropën e Lirë porositi se më e rëndësishme është që të mos ketë pazare rreth dispozitave të ligjit.

Është fakt se sovrani, gjegjësisht populli përmes deputetëve i përcakton ligjet, procedurat, por do ta lusja tani sovranin të bëjë më pak zbrazëtira të proceseve, dobësi që do të ishin reflektuar në raport me zbatimin tone në praktikë. Nuk është fare e rëndësishme se në çfarë kushtesh është miratuar ligji, me rëndësi është që do të përfshihet si dispozitë. Shpresoj se do të kemi më pak dispozita kundërthënëse, të pastra si kristali, dispozita të qarta që do ta lehtësojnë punën e gjyqësorit”-tha Xhemail Saiti, kryetar i Shoqatës së Gjykatësve.

Fati i Prokurorisë Speciale konsiderohet si çështje e fundit e hapur para se vendet anëtare të BE-së në tetor të vendosin për fillimin e bisedimeve aderuese me Maqedoninë e Veriut.