Sot në Komisonin për zgjedhje dhe emërime nuk u votua ndryshimi i rendit të ditës dhe vendimtare për këtë ka qenë vota e deputetit të Lëvizjes Besa, Fadil Zendeli.

Burime të afërta me Lëvizjen Besa për Topal News njoftojnë se paraprakisht deputeti i Lëvizjes Besa Zendeli, kishte kërkuar që konkursi i shpallur para dy viteve për drejtor të Entit për Revizion shtetëror të prishet dhe me këtë të mundësohet një konkurs i ri që do hapte rrugë që ndonjë ekspert shqiptar i përkrahur nga opozita të udhëheqë me institucionin e Revizionit shtetëror.

Sipas po të njejtave burime mësohet se LSDM dhe BDI nuk janë pajtuar me këtë kërkesë të deputetit Zendeli prandaj i njejti nuk votoi konform pritjeve të shumicës LSDM-BDI me ç’rast edhe nuk u miratua ndryshimi i rendit të ditës në Komisionin për zgjedhje dhe emërime.
Përndryshe ky komision parlamentar është i përbërë nga 6 deputet të VMRO-DPMNE, 5 të LSDM dhe nga 1 i BDI-së dhe i Lëvizjes BESA./TopalNews/