Pavarësisht kërkesës për ekstradim në Serbi, Ish-ushtari i UÇK-së Tomor Morina pritet që nesër të lëshohet nga paraburgimi. Kështu paralajmëron avokati i tij Naser Raufi, i cili thotë se pret vendim pozitiv të gjykatëses ndaj kërkesës që ai ka bërë, për mbrojtjen në liri të klientit të tij. Sipas Raufit, gjykata dhe Ministria e Drejtësisë do të procedojnë dhe vendosin për ekstradimin që e ka kërkuar Serbia, përderisa Morina do të jetë jashtë grilave.

Kërkesën e kam dhënën ditën e djeshme në mëngjes, ndërsa tani pres vendimin nga gjykatësja e procedurës paraprake, e cila edhe e ka caktuar paraburgimin, që tani të jep masa preventive dhe Tomor Morina të del nga paraburgimi. Unë mendoj se me këtë dinamikë që zhvillohet tani, po ecë me të vërtetë shpejtë, andaj mendoj që do të arrijmë, pasi të premten është festë, që nesër pra ditën e enjte, të ndërpritet paraburgimi për Morinën.- deklaroi Naser Raufi – Avokat i Tomor Morinës.

Juristi Sejfulla Osmani thotë se kompetente për ekzekutimin e procedurave për krime lufte në Kosovë, është vetëm gjykata e Hagës e jo gjykata e Serbisë prandaj përjashton mundësinë që Morina të ekstradohet në Serbi.

Këshilli i Evropës për themelimin e Gjykatës Penale Ndërkombëtare që vepron në bazë të ligjeve të Kosovës dhe kompetenca është vetëm e asaj gjykate. Gjykatat serbe nuk kanë kompetencë për të vepruar në raste të krimeve në Kosovë. Bëhet fjalë për një situatë që në parim është politike dhe nuk ka të bëjë me procedurat gjyqësore dhe andaj unë mendoj se ekstradimi do të jetë i pamundur.- u shpreh Sejfulla Osmani – Jurist.

Në Gjakovë sot u mbajt një protestë ku kërkohej lirimi i Morinës nga paraburgimi në Maqedoni. Në protestë morën pjesë qytetarë të shumtë, familjarë e bashkëluftëtarë si dhe kryetari i Komunës së Gjakovës, Ardian Gjini. Ai madje theksoi se kryeministri i Kosovës Ramush Haradinaj është në kontakt të vazhdueshëm me autoritetet e maqedonase, me qëllim, lirimin e Morinës.

Secili prej nesh e kemi sot një mllef dhe me plot të drejtë. Është e pakuptimtë që ende njëzet vite pas lufte, ata që kanë kryer krime kërkojnë të na dënojnë. Tomorin e duam sa më shpejtë në mesin tonë, në familjen e tij e mes miqve”- theksoi Ardian Gjini – Kryetar i Komunës së Gjakovës

Tomor Morina u arrestua nga autoritetet maqedonase para një jave, në pikën kufitare Bllacë-Han i Elezit. Morina nga shteti i Serbisë kërkohet për krime lufte ndaj civilëve serb. Morina përveç Kosovës, është qytetar dhe shtetas edhe i Britanisë së Madhe. Ai ka lëvizur mjaftë shpesh nëpër shtetet evropiane, ndërsa flet-arresti i Interpolit me kërkesë të serbëve nuk i ka shkaktuar askund pengesë përveç se në Maqedoni./am/