Festa e Ilindenit ishte në favor të të punësuarve në institucionet shtetërore për të pushuar edhe një fundjavë të zgjatur. Shumë qytetarë ia mësynë shteteve fqinje, disa për të bërë plazh e të tjerët për të shijuar natyrën. Këtë e dëshmuan edhe filmimet e kamerave, thuajse në të gjitha vendkalimet kufitare. Ata që mbetën në vend, këtë festë e kishin planifikuar për shëtitje, për të bërë Pazar ose për të vizituar të afërmit.

“Sot është festa e Ilindenit megjithatë unë jam e angazhuar, po kujdesem për nipin, prindërit e tij janë kujdestar në punë. Sigurisht, do të kryjmë edhe obligimet e përditshme. Mirëpo, këtij ditë po e shënojmë në park”.

“Nuk jam në punë, mirëpo isha në treg, pastaj në kishë. Patjetër e kemi, gjithë javën jemi në punë, prandaj në këtë mënyrë shfrytëzojmë ditët e festave”.

“Nuk ka rëndësi që është festë. Kur kam para çdo ditë e bëj festë”.

“Nuk mund ta përballoj të nxehtin prandaj edhe nuk planifikoj të shkoj diku. Dal deri në park, jetoj këtu afër, nuk guxoj më larg”.

Ndërsa pjesa e qendrës së qytetit ishte thuajse gjysmë e zbrazët, pjesa e Bit Pazarit nuk i ngjante një dite jo pune. Shumë qytetarë nuk kishin njohuri çfarë festë është, ndërsa shumë të tjerë shfrytëzonin hapësirat e rrugëve për të shitur pemë dhe perime.

“A e dini që është festë sot? Jo, jo. Keni dal edhe sot në punë? Po, po”.

“E dimë që është po ku ti dërgojmë këto prodhime, patjetër ti shesim, ku ti lëmë. Këtu nuk na lënë të shesim, por po e shfrytëzojmë që është festë”.

Kjo festë ishte në favor edhe të pishinave në Shkup, të cilat prej në mëngjes ishin të mbushura me njerëz./am/