Moti sot do të jetë me diell dhe shumë i nxehtë, me temperatura që do të prekin 40 gradë Celsius. Ndërsa DPHM-ja për nesër paralajmëron paraqitje lokale të shiut të rrëmbyeshëm dhe bubullimave. Do të ketë edhe kushte për paraqitje të izoluar të motit të keq, veçanërisht në pjesët lindore dhe veriore. Temperatura maksimale do të arrijë 38 gradë Celsiu. Të dielën moti do të jetë me diell me vranësirë të vogël deri në mesatare dhe me erë mesatare deri në të përforcuar nga drejtimi verior. Ngjashëm do të jetë edhe të hënën.

Për shkak të temperaturave të larta sot dhe nesër, Drejtoria për mbrojtje dhe shpëtim apelon te vetëqeverisja lokale, qytetarët dhe vizitorët të mos hedhin cigare, mbeturina të qelqit dhe shishe, të mos ndezin zjarr në hapësirë të hapur dhe në pyll ose material tjetër djegës, as kashtë, dhe nëse vërejnë zjarr menjëherë ta lajmërojnë Njësinë territoriale të zjarrfikësve në numrin falas të tel 193.

Konfederata e sindikatave të lira të Maqedonisë (KSL), sërish, rekomandon të respektohen masat dhe rekomandimet për mbrojtje të punëtorëve të cilët punojnë në vende të hapura: ndërtimtari, bujq, kopshtarë, nëpunës në komunikacion, shitës në tregjet e hapura, zjarrfikës, policë, ushtarë,…Sipas Ligjit për siguri dhe shëndet gjatë punës, përkujton KSL, duhet të sigurohen kushte adekuate për punë të cilat nuk do ta rrezikojnë edhe shëndetin e punëtorëve. Konfederata rekomandon shmangie të punës në vend të hapur në periudhën nga ora 11:00 deri në orën 17:00, reduktim të punës së rëndë fizike, pushime më të shpeshta dhe kujdes të veçantë me punëtorë më të moshuar, të sëmurë kronik, gra shtatzëne.