Pronarët e platformave ilegale në Matkë refuzojnë rrënimin e tyre. Njëri nga ta tha për Alsat se kanë marrë dy kërkesa nga Inspektorati Shtetëror i mjedisit jetësorë, por nuk e kanë ndërmend të zmbrapsen, siç tha, deri sa të hiqet platforma e parë ilegale e restorantit e ndërtuar para 10 vitesh.

“Përderisa Anti-Korrupsioni kërkoi nga autoritetet të ngritët padi penale ndaj Kryetarit të Komunës së Sarajit për mos veprim ndaj platformave ilegale këtu në Matkë, megjithëse i ka të gjitha mundësitë ligjore për të ndaluar apo refuzuar ndërtimin e këtyre tri platformave, këtu në pikun e sezonit po zhvillohet i gjithë aktiviteti pikërisht në këto tri platforma siç e shihni në pamje”

Komisioni Anti-korrupsion në seancën e djeshme i rekomandoi Qeverisë që të detyrojë Ministrinë e Mjedisit Jetësor sa më shpejtë të jetë e mundur që të hartojë një ligj me qëllim që Kanioni i Matkës të shpallet monument i mbrojtur natyror me kufij të jashtëm. Nga dikasteri i ekologjisë thonë se janë në proces të përgatitjes së studimit për rivlerësimin e vlerave natyrore të Kanionit për ta shpallur si zonë të mbrojtur. Nga Ministria e Transportit thonë se janë duke pritur kërkesën e Inspektoratit Shtetëror për Ndërtim për t’i hapur rrugë marrjes së kompetencave të Komunës së Sarajit lidhur me administrimin e Kanionit Matka.

Ministri ka kompetencë ligjore që sipas nenit 145, pika 2 dhe 3 të Ligjit për ndërtim t’i marr kompetencat sektorit të urbanizmit të komunave, por vetëm me kërkesë të Inspektoratit Shtetëror për Ndërtimin dhe Planifikimin Urban. Deri më tani ky inspektorat nuk ka dorëzuar kërkesë tek Ministria jonë, për të mundur që të veprojmë në rastin e Matkës në Komunën Saraj”-thonë nga Ministria e Transportit dhe Lidhjeve.

Për më shumë se një vit nga kërkesat e personave për të legalizuar platformat, nga Komuna e Sarajit nuk i kanë marr në shqyrtim. Komisioni antikorrupsion një ditë më parë tha se do të kërkojë nga Prokuroria të ngrejë padi për kreun e Komunës së Sarajit Blerim Bexhetin lidhur me ndërtimet jolegale në Matkë.