Prokuroria Publike ka 30 ditë afat ligjor për t’iu përgjigjur Komisionit Shtetërorë Kundër Korrupsionit nëse rekomandimet e tij kanë bazë për ndjekje penale të kryetarit të Sarajit Blerim Bexheti për mos veprimin ndaj platformave ilegale në Matkë. Nga Komisioni Anti-Korrupsion thanë se janë në përgatitje të lëndës së kallëzimit penal për ta dorëzuar në Prokurorinë Publike, por nuk saktësuan se cilën ditë do ta bëjnë të njëjtën. Ndërkohë për kërkesën e Anti- korrupsionit për ndjekjen penale të kreut të Sarajit reaguan nga BDI-ja, kuadër i së cilës është Blerim Bexheti. Nga kjo parti thanë për Alsat se këto çështje duhet të zgjidhen brenda institucioneve të shtetit qoftë ekzekutivit apo edhe gjyqësorit nëse ka fakte.

Bashkimi Demokratik për Integrim

“Institucionet të vazhdojnë të veprojnë me intensitetin më të madh për të instaluar drejtësinë gjithandej vendit, por në kuadër të disa parimeve bazike:

– drejtësi po, por jo drejtësi selektive,

– drejtësi po, por jo drejtësi e nxitur nga politika ditore,

– drejtësi po, por jo në kuadër të garës për popullaritet të përfaqësuesve të institucioneve, por në bazë të fakteve dhe dëshmive të qëndrueshme.”

Nga Komuna e Sarajit vazhdojnë të heshtin derisa kryetari i tyre është në pushim vjetor. Sektori për informim i komunës i tha Alsatit se nuk janë në dijeni kur do t’i përfundoj pushimi i Blerim Bexhetit. Ky i fundit dje për disa media përmes telefonit deklaroi se Anti-Korrupsioni po i bënë hile dhe trysni. Bexheti kërkoi që edhe legjislativi të ndërhyjë, ndërkaq paralajmëroi se do t’i padis krerët e këtij Komisioni, duke u thirrur se veprimet e tij për çështjen e platformave në Matkë janë konform Ligjit për ndërtim. Ai në konferencën e fundit për media para disa muajsh, pati deklaruar se bëhet fjalë për tri platforma ilegale, dy të reja dhe tarraca e vjetër e restorantit./am/