Qytetarët e Shkupit, të cilët për festën e Bajramit kanë vendosur të therin kurban, duhet të mbajnë llogari edhe për hedhjen e mbetjeve. Lëkura dhe mbeturinat e tjera të kafshës do të duhet të hidhen në kontejnerë të posaçëm, në pika të caktuara të komunave të cilat do të vendosen nga ndërmarrja publike “Higjiena Komunale”.

Ne do të vendosim kontejnerë prej 5 m3 ku do ti informojmë qytetarët se në cilat lokacione mund të bëjnë hedhjen e këtyre mbetjeve organike të cilat ne gjykojmë se janë hedhje që mund të prishen dhe kalben shume shpejt dhe të vijmë në një situatë ku mund të rrezikojmë edhe jetën dhe shëndetin e qytetarëve dhe të punëtorëve tanë – deklaroi Abdusamed Shabani, NP “Higjiena Komunale”.

Në aksionin për ndërgjegjësimin e qytetarëve që do të therin kurban është bashkangjitur edhe Myftinia e Shkupit dhe Komuna e Çairit.

Ne t’ua lehtësojmë atyre edhe formën më të lehtë që kurbani i tyre të jetë më i pranuar tek Zoti, duke ua lehtësuar dhe duke mos i dëmtuar të tjerët me dëmin që mund ta sjellim ne nga vetëdija e ulët e therjes së kurbanit. Në 136 xhami aktivet, nëpërmjet nëpunësve tanë fetar kemi apeluar dhe kemi sugjeruar besimtarët si duhet të veprojnë me therjen dhe formën e shpërndarjes së mishit dhe mbeturinave të Kurbanit – tha Qenan Ismaili, myfti i Shkupit.

Çdo lagje në komunën e Çairit do të ketë pika grumbullimi. Në atë mënyrë edhe i kemi zgjedhur që të jenë pak më larg nga vendbanimet në atë mënyrë që çdo grumbullim të ketë efikasitetin e plot në atë drejtim dhe mos t’i bëjmë dëm qytetarëve që jetojnë në atë rrethinë – u shpreh Visar Ganiu, kryetar i Komunës së Çairit.

Nga Myftinia e Shkupit, gjithashtu njoftuan se edhe këtë vit do të bëhet grumbullimi i lëkurës së kurbanit në 8 pika të caktuara. Ndërkohë nga Higjiena Komunale me rastin e Kurban Bajramit do të bëjnë pastrimin dhe larjen e të gjitha rrugëve dhe xhamive në Shkup. Festa e Kurban Bajramit do të festohet të dielën, më 11 gusht.