Disa zona të Maqedonisë së Veriut nga faza e verdhë kaluan në atë portokalli. Në disa rajone temperatura ditore ka arritur në 40 gradë celsius. Enti hidrometeorologjik paralajmëroi se deri në mesin e javës që vjen vendi do jetë nën fazën e verdhë dhe portokalli, ndërsa pritet që nga fundi i javës së ardhshme të ketë rënie të lehtë të temperaturave. Autoritetet rekomandojmë që pos të sëmurëve kronikë dhe të moshuarve, diellit t’i shmangen edhe punëtorët e ndërtimtarisë .

Pavarësisht temperaturave të larta dhe alarmit të institucioneve që të shmanget ekspozimi në diell nga ora 10 deri në orën 17.00 të pasdites, ekipi i televizionit ALSAT filmoi materiale të cilat tregojnë se rekomandimet e institucioneve nuk respektohen.

Shërbimet e Ndihmës së Shpejtë njoftojnë se temperaturat e larta kanë rritur numrin e pacientëve të cilët kërkojnë ndihmë. Kryesisht ka kolapse, rënie të sheqerit si dhe probleme me tensionin e gjakut. Mjekët rekomandojnë që të konsumohen sa më shumë lëngje, ushqime sa më të lehta si dhe të vishet veshmbathje e lehtë dhe me ngjyra të hapura./am/