Edhe këtë vit treni ekspres “Helas ekspres” në drejtim të Beogradit dhe Selanikut do të udhëtojë vetëm deri në fund të verës. Lidhja e vetme hekurudhore për udhëtarët e Maqedonisë së Veriut drejt jashtë vendit do të ndalet më 16 shtator. Nga Hekurudhat e RMV – Transport, për “Meta.mk” thonë se treni këtë vit do të udhëtojë si linjë sezonale mu për shkak të arsyeve ekonomike, njofton Portalb.mk.

Numri i udhëtarëve që udhëtojnë me trenin drejt Beogradit dhe Selanikut prej viti në vit po zvogëlohet, ndërkaq me atë bëhet e padobishme që të mirëmbahet treni ekspres gjatë tërë vitit.

“Për gjysmën e dytë të muajit qershor 2018-të ka pasur 642 udhëtarë, ndërkaq në të njëjtën periudhë prej vitit 2019-të – 385 udhëtarë”, theksojnë nga RMV – Transport.

Zvogëlimi i interesit për tren si mjet udhëtimi fillimisht është për shkak të kohëzgjatjes së udhëtimit. Sipas orari aktual, trenit mes Shkupit dhe Beogradit i duhen 9 orë e 55 minuta që ta kalojë tërë largësinë. Me ndërtimin e autostradës në Grykën Grdeliçka, por edhe me hapjen e kontrollit të përbashkët kufitar në Tabanovc, disa linjave të autobusit u nevojitet dyfish më pak kohë që ta kalojnë relacionin e njëjtë. Në pjesën e hekurudhës, kontrolli i përbashkët kufitar mes Maqedonisë së Veriut dhe Serbisë do të fillojë madje në vitin 2023.

Treni “Hellas ekspres” filloi më 15 qershor të këtij viti, si mundësi më e lirë për udhëtim drejt Selanikut dhe Beogradit për qytetarët e Maqedonisë së veriut. Deri më 16 shtator, treni do të vazhdojë të udhëtojë nga Shkupi për në Selanik në ora 4:45 minuta në mëngjes, ndërkaq prej Shkupit për në Serbi në ora 22:19 minuta.