Ligji për Prokurori Publike, me të cilin definohet e ardhmja e Prokurorisë Speciale Publike (PSP), sot është në lexim të dytë në seancën e Komisionit për Çështje Juridike të Kuvendit të Republikës së Maqedonisë së Veriut (RMV), transmeton Portalb.mk.

Seanca e Komisionit është caktuar të fillojë në ora 11:00, ndërkaq, pasi Ligji ta kalojë leximin e dytë, duhet të kalojë në seancë plenare për miratim.

Që të miratohet Ligji, duhet 2/3 e votave të numrit të përgjithshëm të deputetëve, gjë për të cilën shumica dhe opozita për gjysmë viti janë duke zhvilluar negociata. Opozita, VMRO-DPMNE-ja kundërshton propozimin që në krye të PSP-së ardhshme të jetë prokurorja aktuale e Prokurorisë Themelore Publike për ndjekjen e krimit dhe korrupsionit, Villma Ruskovska.

Procesi i negociatave për tejkalimin e dallimeve për Ligjin për Prokurori Publike, dje ka përplasur liderin e partisë opozitare VMRO-DPMNE, Hristijan Mickoski dhe ministren e Drejtësisë, Renata Deskoska. Mickoski në konferencë për media ka kritikuar Deskoskën se po e bllokon procesin e negociatave dhe ka kërkuar që ajo të japë përgjegjësi, për shkak të siç tha ai, sepse pozicioni i saj është politik. Ndërkaq, Deskoska, deklaratën e Mickoskit e ka vlerësuar si perceptim të shtrembëruar dhe e ka ftuar që të shqyrtojë pozicionet partiake të cilat i përfaqëson.

Edhe përskaj dallimeve të tjera që ekzistojnë, siç është rasti me statusin e lëndëve që dalin nga materialet e përgjuara – “bombat”, sërish nga partia në pushtet, Lidhja Socialdemokrate e Maqedonisë (LSDM) janë shprehur optimist se deri më 15 shtator, kur është afati i fundit, Ligji për Prokurori Publike do të hyjë në fuqi dhe do të definohet statusi i PSP-së. Si LSDM-ja dhe partia shqiptare në pushtet, Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI) kanë vlerësuar se zgjidhja më e mirë është që Ligji të miratohet me konsensus në Kuvend.