Ministri i Arsimit dhe Shkencës, Arbër Ademi sot ka deklaruar se, nga Sindikata për Arsim, Shkencë dhe Kulturë (SASHK) deri tash nuk është kushtëzuar me grevë të përgjithshme, në rast të mosngritjes së pagave në arsim deri në 25 për qind, transmeton Portalb.mk.

I pyetur se a do ta pranojnë kushtin e SASHK-ut që pagat e arsimtarëve të rriten deri 25 për qind, në të kundërtën do të ketë grevë, Ademi tha se nuk parapëlqen kushtëzime dhe kërcënime.

“Jemi në komunikim të çdoditshëm me SASHK-un për të shqyrtuar të gjitha të dhënat, parametrat për ngritjen eventuale të pagave. Për këtë temë, nuk kemi diskutuar dhe nuk parapëlqejmë kushtëzime apo kërcënime. Deri sot, për hir të së vërtetës, nuk ka pasur kurrfarë kushtëzimi, kurrfarë kërcënimi, por në mënyrë të hapur dhe shumë miqësore kemi diskutuar dhe në atë mënyrë jemi duke e vazhduar bisedimet”, tha Ademi. Kjo deklaratë e Ademit vjen dy ditë pasi u mbajt greva paralajmëruese e SASHK-ut. Vendimin për grevë paralajmëruese SASHK-u e ka sjellë për shkak se, ata kërkojnë rritje të pagave deri në 25 për qind, e kurse MASH-i ka paralajmëruar rritje të pagës për vetëm 5 për qind.