Liderët e VMRO-DPMNE-së dhe të LSDM-së, Hristijan Mickoski dhe Zoran Zaev sot do të ulen së bashku në tryezë të përpiqen të arrijnë marrëveshje përfundimtare për ligjin e ri për prokurorinë publike dhe për fatin e PSP-së. Ndonëse Mickoski i ka shmangur ftesat për takim me Zaevin, duke e kushtëzuar praninë e tij me biseda për zgjedhje të jashtëzakonshme, është pajtuar që sot të vjen në Kuvend e të takohet me kundërshtarin e tij politik.

Mickoski ka paralajmëruar që temë e takimit të liderëve nuk do të jetë vetëm ligji për prokurori publike, por edhe përcaktimi i zgjedhjeve të parakohshme parlamentare.

Në mes të korrikut, Zaev e anuloi takimin e liderëve në të cilin duhej të diskutohet statusi i PSP-së, regjistrimi i popullsisë vitin e ardhshëm, por edhe për reformën e legjislacionit zgjedhor.

Shkak për anulim ishte vendimi i Mickoskit që mos të merr pjesë në takimin në Klubin e deputetëve, në të cilin të ftuar ishin edhe lideri i BDI-së Ali Ahmeti dhe i Besës Bilall Kasami.

Nga VMRO-DPMNE atëherë insistuan që temë primare të jetë përcaktimi i zgjedhjeve të parakohshme, përkundër planeve të Zaevit që në zgjedhje të shkohet në terminin e rregullt, përkatësisht kah fundi i vitit të ardhshëm. Për dallim prej atëherë, tani nga VMRO-DPMNE thonë që mund dhe duhet të hapet debati për zgjedhje të jashtëzakonshme, por që temë qendrore e takimit të ardhshëm të liderëve është ligji për prokurori publike.

Finalizimi i procesit të negociatave, që zgjatën pothuajse gjysmë viti, vjen në periudhën pasi që kryeprokurorja e PSP-së, Katica Janeva dyshohet në rastin e Prokurorisë Themelore Publike për ndjekjen e krimit dhe korrupsionit, “Reket”. Ajo dha dorëheqje pak orë para se të arrestohet i dyshuari i parë në “Reket”, Bojan Jovanovski i njohur me nofkën Boki 13.

Nga paraburgimi, Janeva ka dërguar letër deri te PSP-ja dhe PTHP-ja me çka ka kërkuar që lëndët nga materialet e përgjuara – “bombat”, të transferohen në PTHP, gjë për të cilën pritet të sillet sot vendim. Sipas prokurores Speciale, Fatime Fetai nuk është me rëndësi se kush do të përndjek, por se të jepet përgjegjësi për dëmet që janë bërë.

Lëndët e PSP-së dhe prokurorët me të cilët do të veprojë PSP-ja e ardhshme, janë dy çështjet për të cilat grupet e punës për Ligjin e Prokurorisë nuk kanë arritur deri sot të gjejnë kompromis. Kjo solli në lojë edhe Planin B, që siç sqaruan nga LSDM-ja nënkupton hartim të Marrëveshjes “Përzhino 3”.

Për shkak të përfshirjes së Janevës në “Reket”, Këshilli i Prokurorëve Publikë (KPP) nisi procedurë për shkarkim të saj, i cili dje mori dritë jeshile edhe nga Komisioni për Zgjedhje dhe Emërime në Kuvendin e RMV-së. Pas Komisioni, shkarkimi duhet të miratohet edhe në seancë plenare me 2/3 e votave dhe me shumicë prej badenterit.

Përndryshe, javën e kaluar, në seancën e Komisionit për Çështje Evropiane në Kuvend. gjatë leximit të dytë të Ligjit për Prokurori Publike, janë propozuar 51 amendamente, prej të cilave 3 janë tërhequr. Për 15 minuta janë pranuar 10 amendamente, të cilat kanë të bëjnë me çështje teknike.

Që nga propozimi i Ligjit nga kryeministri Zoran Zaev, opozita maqedonase ka kundërshtuar që në krye të Prokurorisë Themelore Publike për Ndjekjen e Krimit dhe Korrupsionit të Lartë (tash PSP), të jetë e propozuara me Ligj, Villma Ruskovska.

Propozim-ligji parasheh:

PSP-ja të kalojë në PTHP për ndjekjen e krimit dhe korrupsionit,
Do të marrë emrin Prokuroria për ndjekjen e krimit dhe korrupsionit të lartë,
Do të ketë kompetenca në tërë territorin e Republikës së Maqedonisë së Veriut,
Do të ketë garanci që në mënyrë të mëvetësishme të përgjigjet dhe vendos për lëndët e PSP-së,
Do të udhëhiqet nga Villma Ruskovska,
Prokurorët aktual të PSP-së do të vazhdojnë të punojnë në PTHP për ndjekjen e krimit dhe korrupsionit të lartë,
Mandati i tyre është deri më 15 shtator, por do të kenë mundësi për rizgjedhje,
Përbërjen e Prokurorisë së re do ta zgjedhë Këshilli i Prokurorëve,
Të gjithë rastet e PSP-së ajo do t’i vazhdojë dhe procesuojë para gjykatave kompetente,
Nga PSP-ja, në PTHP do të kalojë edhe Arkivi, mjetet dhe aparatura,
Lartësia e mjeteve për funksionim të PTHP-së për ndjekjen e krimit dhe korrupsionit të lartë të caktohet me propozim-buxhet dhe plan financiar të shefit të kësaj Prokurorie, të cilat dorëzohen te prokurori publik dhe te Ministria e Financave për aprovim. Qeveria dhe Kuvendi nuk mund ta ndryshojnë planin financiar dhe buxhetin e kësaj prokurorie.
Parashihet mbrojtje e personalitetit të prokurorëve të kësaj prokurorie dhe nuk mund të kryejnë funksion prokurorial në ndonjë institucion tjetër.
Shefi i kësaj prokurorie do të mund të shkarkohet me 2/3 e votave të Këshillit të Prokurorëve.
Ajo nuk mund të ndjekë krim pa aprovim nga prokurori publik dhe
Ajo nuk ka të drejtë që ta urdhërojë ndonjë institucion tjetër të kryejë ndjekje të krimit për të cilin është përgjegjëse vetë ajo.