Ish-komisari për zgjerim i BE-së, Johannes Hahn, ka thënë sot se nuk do të ketë progres në rrugën drejt BE-së, për asnjë vend të Ballkanit Perëndimor, nëse këto vende nuk sigurojnë dhe garantojnë liri të medias dhe liri të shprehjes.

“Ky mesazh i yni është i qartë si kristali”, tha ai në një videomesazh me rastin e fillimit të konferencës “Ditët e medias BE-Ballkani perëndimor 2019”, që po mbahet në Podgoricë të Malit të Zi.

“Liria e medias është e kërcënuar, jo vetëm në Ballkanin Perëndimor por në krejt botën. Komisioni Evropian do të jetë i përkushtuar për të mbrojtur lirinë e medias”, shtoi ai.

Komisioni Evropian për herë të tretë organizon Ditët e Medieve BE-Ballkani Perëndimor që do të mbahen në Podgoricë, më 12 dhe 13 shtator 2019. Ngjarja, që u nis në 2017, ka për qëllim të sigurohet që liria e medieve të mbetet prioritet në ballafaqimin me çështjet e ndërlikuara politike, ekonomike dhe sociale që i përjeton rajoni për momentin. Ngjarja e këtij viti do të hedh dritë mbi marrëdhënien mes politikave dhe medieve. Për herë të parë, Ditët e Medieve do të përfshijnë përfaqësues politik nga rajoni që do të jenë përgjegjës për informata dhe medie për shkëmbim të drejtpërdrejtë përvojash në panelin “Politikat dhe mediet”.