Që sot deri më 18 shtator në pjesën e vjetër të Qytetit të Shkupit në Çarshinë e Vjetër si dhe në Sheshin Filipi II do të mbahet manifestimi tradicional i 13-të dhe shumë i dashur tash e ca kohë për qytetarët e posaçërisht për rininë e Shkupit, “Tingujt e Çarshisë”.

Në ditën e parë të manifestimit do të ketë më shumë aktivitete kulturore të cilat do të fillojnë prej orës 14:00 me Krijimet letrare të shkrimtarëve me titull “Çarshia e vjetër e Shkupit në veprat e krijuesve letrarë” që do të mbahet në “Sheshin Skenderbej”. Në orën 17.00 në po të njëjtin shesh do të performojnë ansamblet AKV “ILIRIDA” Shkup, AKV “Studio folklor” Shkup, AKV “Shamikuqet” Ferizaj, AKV “Jeni Joll” Shkup ndërsa në orën 18.00 në Urën e Gurit do të fillojë Ekspozita e fotografive të Çarshisë së Vjetër të Shkupit, nga Arbnora Mehmeti dhe Zoran Shekerov.

Në kuadër të ditës së sotme të manifestimit QIK i paralajmëroi edhe aktivitetet vijuese:

Në Sheshin “SKENDERBEJ”, me fillim në orën 19:00 do të performojnë Emin Salihi – Band me solistë: Hana Palloshi, Filonid Aliu, Donika Domazeti ndërsa prej orës 20.00 do të vijojë performanca soliste nga kitaristi Artan Kastrati me kompozimet e tij. Me fillim në orën 21:00 do të vijojë Performanca e Baletit “DREAM” si dhe e Coda Band. Në Parkun e Kalasë së Shkupit, prej orës 22.00 do të ketë kinema nën qiell të hapur dhe do të shfaqet filmi “KTHIMI”.

Në natën e dytë të manifestimit në Sheshin Filipi II do të performojnë yjet e estradës shqiptare Yll Limani, Dafina Zeqiri, DJ Elektron si edhe këngëtarja Tamara Todevska.

Nata e tretë dhe e fundit e manifestimit “Tingujt e Çarshisë” pasurohet me performancën e këngëtarëve të njohur Lindon Berisha, Kanita Suma, DJ Pitti si edhe njëra prej këngëtareve më të mira të momentit Elvana Gjata.

Siç informoi Qendra Informative Kulturore – Shkup e cila është organizatore e ngjarjes, manifestimi duhet të kontribuojë drejt emancipimit të mjediseve të pandërtuara kulturore por edhe të japë kontribut drejt aktiviteteve të vazhdueshme të Qytetit të Shkupit dhe Qendrës Informative Kulturore – Shkup për revitalizimin e Çarshisë së Vjetër të Shkupit.

Sipas tyre qëllimi i manifestimit është që përmes koncerteve nga të gjitha zhanret, performancat, performancat folklorike, poezisë, kolonive të artit dhe prezantimit të zanateve të vjetra, çarshia të ringjallet në frymën e traditës si përkujtues kulturor dhe shpirtëror i qytetit dhe të kthehet fryma e zanateve, të paktën të atyre që kanë mbetur deri më sot.